
Bollëk, shëndet, para dhe gëzim!
Këto janë kuptimat që fshihen pas disa ushqimeve të caktuara që nuk duhet të mungojnë në tryezën festive të fundvitit.
Ju kemi folur më parë për thjerrëzat, por nuk janë të vetmet.
Për të mbyllur mirë vitin 2021-shin dhe për të nisur mirë 2022-shin në treg gjeni një armatë të tërë produktesh, Mega News ju zbulon cilat janë ato, si dhe mesazhet dhe simbolet kuptimplota që fshihen pas tyre:
Thjerrëzat
Për shkak të ngjashmërisë me monedhat, thjerrëzat konsiderohen ogur i mirë në prag të ndërrimit të viteve.
Lakra jeshile
Përveçse është produkt i stinës, lakra jeshile është edhe fatsjellëse. Ngjyra e shpresës e përfshin atë në listën e ushqimeve që duhen future në pazarin e festave.
Shega
Ky frut, aq shumë i njohur për vlerat e tyre ushqyese, është simbol i pjellorisë dhe pasurisë, ndaj edhe grekët e vendosin me shumicë në tryezën festive.
Rrushi
Për spanjollët dhe meksikanët, rrushi është simboli i bollëkut dhe mbarësisë, tradita thotë që duhen ngrënë 12 kokrra rrush para trokitjes së akrepave në mesnatë.
Frutat e thata
Sipas francezëve në natën e ndërrimit të viteve duhen ngrënë 13 lloje të ndryshme frutash të thata.
Mandarina
Për kinezët është mandarina fruti fatsjellës më i mirë sepse falë formës së saj sferike i ngjan pafundësisë. Kjo është edhe arsyeja pse për festa kinezët i dhurojnë njëri-tjetrit mandarina.