Ka miell për gjithë vitin, Ministria e Bujqësisë: Rezervat e importuesve të grurit, të mëdha

Furnizimi i vendit me grurë dhe miell është i garantuar për të gjithë vitin.

Këtë e konfirmon Irfan Tarelli, drejtor i politikave bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, i cili thotë se nuk ka vend për panik.

Sasia e importuar deri më tani mbulon nevojën e konsumimit deri në qershor.

Ndërsa më pas do të mbështetemi edhe te prodhimi ynë bujqësor.

“Rezervat e importuesve të grurit janë të mëdha. Ka edhe kontrata të lidhura me vende të tjera. Konfirmojmë që furnizimi me grurë, me miell dhe është i garantuar deri në fillimin e prodhimit të ri në vend, që nis që nga fundi i muajit qershor dhe gjithë korrikun, kemi sasi të konsiderueshme për furnizimin e gjithë popullsisë.”

Me grurin vendas që do të hidhet në treg në qershor do të mbulohen 50% e nevojave, ndërsa importuesit po negociojnë për të lidhur kontrata të tjera, në tregjet alternative.

“Sasitë janë të garantuara, deri në fillimin e korrjes së grurit, marrjen e prodhimit të ri, nuk ka asnjë shqetësim, me prodhimin e ri krijojmë një stabilitet.

Me prodhimin e ri ne mbulojmë mbi 50% të nevojave në grurë dhe mbi 80% në misër. Nuk përbëjnë asnjë shqetësim. Pjesa tjetër duhet importuar, flasim për importe që shtrijnë efekte për të gjithë vendin. S’ka asnjë vend për panik.”