Rritje kudo. Transporti ndër të parët.

Mësohet se është rritur çmimi i biletës së udhëtarëve në autobusët e linjës Durrës-Tiranë.

Udhëtarët do paguajnë 500 lekë të vjetra më shumë duke shkuar në 2 mijë lek nga 1500 që ka qenë më parë.

Rritje të çmimit të biletës pati edhe gjatë pandemisë, me 300 lekë, ndërkohë që justifikimi në atë periudhë nga ana e drejtuesve ishte përgjysmimi i kapacitetit, por edhe kur situata ndryshoi çmimi mbeti i palëvizur.

Durrësi ka numrin më të madh të studentëve të cilët bëjnë çdo ditë rrugën drejt kryeqytetit dhe anasjelltas. Ndërkohë që me 500 lekë është rritur edhe çmimi i biletës së autobusëve të linjës Elbasan-Tiranë.

Po ashtu rritje do të ketë edhe për biletat mes qyteteve të tjera ku ndryshimi më i ndjeshëm është te biletat e qyteteve që janë larg njëri-tjetrit, që kushtojnë zakonisht më shumë.

Gjithashtu rritje çmimesh pritet të ketë edhe nga urbanët në Tiranë, drejtuesit e tyre kanë kërkuar që bileta të shkojë 80 lekë, nga 40 lekë që është tani.